Në kontekst me ndikimet e Kur`anit dhe të filozofisë islame e vështrojmë edhe poemën: Erveheja të Kyçykut. Është kjo një poemë origjinale, ndër më të bukurat në letërsinë tonë, ku, me mjeshtri të madhe artistike, në stilin popullor, me strofa katër vargjesh e tetërrokësh me rimë ABAB, është kënduar bukuria trupore, e pashoqe, e saj: “Erveheja qe një grua, që s`kish shoqe n`atë ditë, vajzë dhe si u martuar, posi hëna kur bën dritë.”
Por është kënduar, mbi të gjitha, fisnikëria shpirtërore dhe morale e saj – si personazh kryesor që përmbledh në vete virtyte më të larta shqiptare dhe njerëzore, por edhe kuranore, siç janë: besa, nderi, mirësia dhe dashuria ndaj njeriut dhe ndaj Zotit. Për më tepër, tërësinë e kësaj vepre artistike dhe tërësinë e konceptit islam, poeti –teolog M. Kyçyku e ka realizuar përmes personazhit të Ervehesë që vepron, sipas një vlerësimi mjaft të qëlluar të M. Hysës[71] si besimtare e vërtetë që ka kulturë islame dhe çdo veprim e bën me ndërgjegje të plotë, sepse është një intelektuale islame, që udhëhiqet nga librat e shenjtë. Kjo shihet më së miri kur asaj Arapi i propozon martesë, ndërsa ajo mbrohet duke thënë: „U s`kam bërë zina kurrë“, sepse kjo „është harem me qitab“[72]. Ç`është e vërteta, në këtë poemë poeti ka ndërtuar edhe konceptin e shpirtëmadhësisë, shpirtgjerësisë dhe shpirtëbutësisë së Allahut, se ai mund të mëshirojë kur njeriu i drejtohet me lutje. Dhe pikërisht në emër të këtij koncepti, siç e ka vlersuar edhe M. Hysa[73], Erveheja i është lutur Arapit që të mos e turturojë se me të mirën që bëjmë ndaj të tjerëve shfaqim edhe nderimin tonë ndaj Allahut:
„Se Allahu ishte xhumert Një të mirë që punove, Te Allahu u nderove.“
Edhe përcaktimi i jetës së njeriut te Kyçyku ka një koncept që, sipas vlerësimit të M. Hysës[74] lidhet me atë islam:
„Emri`i Zotit do banetë dhe takdir (urdhër) i Perendisë me t`ardhurë vadeje (afati) dovleti dha amanetnë. “
Për më tepër Kyçyku ndërton koncept islam edhe për rregulimin shetëror të vendit dhe atë, siç ka theksuar edhe M.Hysa[75] duhet ta trajtojmë ashtu pavarësisht se si mund ta pranonin dje e sot. Në kontekst me këtë, le të theksojmë edhe njëherë faktin se Erveheja, pasi e merr pushtetin në dorë (meqë e shpërblen Perëndia për virtytet e saj), vendos rendin shtetëror të sheriatit[76], që punët të rregullohen sipas këtij ligji, sepse, edhe sipas botëkuptimit të Ervehesë, edhe sipas botëkuptimit të poetit dhe teologut të shkencave islamike, M. Kyçykut, vetëm ashtu mund të bëhet një vend i lumtur, i nderuar:
„Po që hipi q`atë sahat të bukur`e dha nizamnë (rregulin), gjithë punënë dhe sheriat e bënë mamur dini islamë.“
Ç`është e vërteta, Muhamed Kyçyku është autori që moralin shoqëror e sintetizon me moralin fetar, është autori që mendon se të këqijat njerëzore mund t`i luftojë me sukses njeriu që ka të formuar vetëdijen fetare (sc. Isalme – I.A.). Gati të gjithë personazhet e tij artistikë si ata me burim kuranor, si ata me burim jashtë kuranor, janë brumosur me virtyte të moralit shoqëror e të moralit fetar (sc. Islam- I.A.). Kjo është premisë që del nga çdo vepër e tij, pra edhe nga vepra “Erveheja” – thekson M.Hysa[77].
5. Çështja e tjetërsimit të konceptit në poemën „Erveheja“ Me çështjen e tjetërsimit të konceptit themelor të poemës „Erveheja“ është marrë, në mënyrë mjaft të thelluar, i vetmi, me sa dihet, deri më sot, M. Hysa[78]. Duke u marrë me këtë çështje, studiuesi në fjalë, veç tjerash, ka theksuar me të drejtë se O. Myderrisi ka bërë punën më të mirë e më të madhe në kërkimet e tij rreth “Ervehesë“, kërkime të cilat patën sukses, pasi më në fund e gjet origjinalin e poemës dhe e botoi (paralelisht me variantin e J. Vretos) duke e shpëtuar kështu veprën nga tjetërsimi i konceptit themelor që i është bërë me variantin e J. Vretos[79]. Kështu, për shembull, sa për ilustrim le të theksojmë se J. Vretoja, me qëllim që t`i heqë gjurmët e Kur`anit, që në fillim kishte menjanuar vargun: Në vakit Beni Israil (vargu i parë i strofës së dytë), koncept ky që, sipas studiuesit M. Hysa[80] lidhet me ajetin e 8 të kaptinës SURETU El ISRAË, ku ndër të tjera thuhet se Israe është udhëtim natën që bën Muhamedi prëj Mekës në Jerusalem.
Vretoja kishte bërë edhe shumë ndryshime të tjera konceptuale. Mirëpo pa hyrë në detaje të tjera, një gjë, por, është e qartë: poema „Erveheja“, siç ka vënë re studiuesi M. Hysa[81] nuk është një vepër „profane“, siç del nga varianti i Vretos, por një vepër me konceptin fetar islam, ashtu siç del nga varianti i Muhamed Kyçykut.